Deklaratë

 

 

 

Një grup intelektualësh dhe veprimtarësh shqiptarë, jemi të shqetësuar me gjendjen e mërgatës shqiptare në Bavari të Gjermanisë, sepse me kalimin e kohës, gjithnjë e më tepër, gjeneratat e reja, po e harrojnë gjuhën e tyre amtare! Që do të thotë se është duke ndodhur një realitet i hidhur - asimilim i vrullshëm i fëmijëve shqiptarë, në në këtë pjesë të Europës! Prandaj, ne si këshill nismëtar për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Bavari, kërkojmë nga institucionet tona shtetërore e kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, përpos përkrahjes morale dhe asaj ideore, të kenë edhe përgjegjësi kombëtare dhe të ndërmarrin masa parandaluese, sa nuk është bërë vonë! Për këtë pjesë të qytetarëve, kanë obligim dhe do të marrin përgjegjësi dy qeveritë tona, pa hezitim! Sidomos në Bavari, mësimi plotësues në gjuhën shqipa ka pësuar një rënie të dukshme, gjë që popujt tjerë, e kanë të rregulluar, në saje të shteteve të tyre. Kjo dukuri, vërehet sidomos te brezi i dytë, kurse për brezin e tretë, të mos flasim! Asimilimi ka filluar të bëhet realitet. Për të mos ardhur deri në atë shkallë tepër shqetësuese për vetë mërgatën shqiptare në veçanti, dhe për kombin shqiptar në përgjithësi, kemi marrë iniciativë, për ta ndryshuar këtë gjendje: që fëmijët dhe të rinjtë t’i përkrahim sado pak, pra, që krahas gjuhës së vendit ku jetojnë, ta mësojnë edhe gjuhën shqipe, historinë dhe ta ruajnë kulturën e vetëdijen kombëtare. Në mënyrë që sa më tepër të jenë të lidhur me atdheun e tyre.

 

Pra, ta kemi parasysh se mërgimtarët e meritojnë një trajtim më të mirë, ku dihet dihet seme shekuj, mërgata shqiptare ishte dhe mbeti njëra nga shtyllat kryesore, të çështjes kombëtare shqiptare.

 

Ky projekt ka për qëllim, për Landin e Bavarisë në Gjermani, që sa më shumë fëmijë e të rinj të përfshihen nëmësimin e gjuhës shqipe, që nuk arrihet pa përkrahjen e institucioneve tona shtetërore e kombëtare, të te dya shteteve tona.

 

Ky projekt, do t’i paraqitet Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës në Mynih, Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës dhe Ministrisë së Diasporës, që të bashkëpunojnë në krijimin e një strukture të përbashkët organizative, e cila do ta ketë të drejtën për t’u thirrur në hapjen e klasave me mësim plotësues në gjuhën shqipe, në Bavari.

 

Të ndihmohet institucionalisht ky këshill nismëtar, që ta realizojë projektin për mësimin e gjuhës shqipe fëmijët tanë edhe në Bavari, të ndihmojnë në përgatitjen për kuvendin zgjedhor dhe të gjejë mekanizma e mundësi për integrimin e të gjithë atyre që kanë mundësi dhe ide profesionale për ta quar përpara, këtë projekt kaq madhor. Pa përjashtim, të gjithëve iu bëjmë thirrje për një bashkëpunim sa më konstruktiv: të gjitha shkollave, shoqatave, bizneseve e mësueseve, që ta japin kontributin e tyre dhe të jenë pjesë e këtij projekti, në kuvendin zgjedhor.